Mbikëqyrja dhe paraburgimi

Uppsikt och förvar – albanska

Kur Agjencia Suedeze e Migracionit përcakton se ekziston rreziku që ju të qëndroni i fshehur ose të refuzoni bashkëpunimin në mënyra të tjera, në disa raste ju mund t’i nënshtroheni një vendimi mbikëqyrjeje. Nëse Agjencia Suedeze e Migracionit përcakton se mbikëqyrja nuk është e mjaftueshme, ju mund të vendoseni nën ndalim (paraburgim).

Nëse jeni 18 vjeç apo më shumë, mund të vendoseni nën mbikëqyrje apo të ndaloheni në paraburgim nëse lind nevoja për të hetuar, për shembull, rreth identitetit tuaj ose të drejtës tuaj për të qëndruar në Suedi. Ju mund të vendoseni gjithashtu nën mbikëqyrje ose nën ndalim nëse keni marrë, ose ka të ngjarë që të merrni, një vendim për refuzim hyrjeje apo urdhër dëbimi dhe Agjencia e Migracionit përcakton se ekziston rreziku që ju të kryeni krime në Suedi të qëndroni i fshehur apo që në forma të tjera të pengoni apo të vështirësoni refuzimin e hyrjes apo dëbimin.

Mbikëqyrja

Mbikëqyrja është një mënyrë përmes së cilës Agjencia e Migracionit sigurohet që ju të qëndroni në kontakt me ne dhe në dispozicion të autoriteteve. Nëse merret një vendim për t’u vendosur nën mbikëqyrje, kjo do të thotë që ju jeni të detyruar të paraqiteni në orare të caktuara për të hedhur firmën qoftë pranë organeve policore ose Agjencisë së Migracionit në një vend të përcaktuar. Vendimi përcakton se kur dhe ku duhet të firmosni. Gjithashtu mund të jetë e nevojshme që të dorëzoni pasaportën apo dokumentet e tjera të identifikimit.

Kohëzgjatja (Periudha e kufizimit)

Një vendim për vendosje nën mbikëqyrje zgjat gjashtë muaj, por afati i tij mund të shtyhet. Zakonisht, përpara se Agjencia e Migracionit të shtyjë afatin e vendimit për vendosje nën mbikëqyrje, ju do të thirreni në një hetim me gojë.

Apelimi kundër një vendimi për vendosje nën mbikëqyrje

Ju mund të depozitoni në çdo moment në Gjykatën e Migracionit një apelim kundër një vendimi për vendosje nën mbikëqyrje. Ju nuk mund të merrni një avokat publik, thjesht për faktin se keni marrë një vendim për vendosje nën mbikëqyrje.

Ndalimi në paraburgim

Agjencia e Migracionit mund të vendosë t’ju ndalojë në paraburgim nëse përcaktohet se mbikëqyrja është e pamjaftueshme që ju të ruani kontaktet me ne. Kjo mund të ndodhë, për shembull, nëse iu është dhënë një vendim për vendosje nën mbikëqyrje, por ju nuk paraqiteni dhe nuk firmosni në oraret e përcaktuara, ose nëse refuzoni të bashkëpunoni në forma të tjera me Agjencinë e Migracionit.

Ndalimi në paraburgim nënkupton se do të jetoni në një strukturë të mbyllur (qendër ndalimi)nga e cila nuk mund të largoheni. Agjencia e Migracionit është përgjegjëse për këto qendra ndalimi. Personi që është i ndaluar ka të drejtën të presë vizita për sa kohë që kjo nuk e pengon funksionimin e qendrës së ndalimit. Në raste të caktuara, Agjencia Migracionit mund të vendosë për mbikëqyrjen e këtyre vizitave.

Gjatë kohës që mbaheni i/e ndaluar në paraburgim ju mund të bëni kërkesë për një kuotë kompensimi ditor nëse iu mungojnë mjetet financiare personale.

Lexo më shumë për kompensimin ditor dhe granteve speciale

Ruajtja e privatësisë dhe siguria

Për shkak të ruajtjes së privatësisë, punonjësit e Agjencisë së Migracionit nuk mund të tregojnë se kush mbahet i ndaluar në paraburgim dhe ku strehohen. Për pasojë Agjencia e Migracionit nuk mund t'u tregojë familjes dhe miqve tuaj se ku ndodheni, por ju mund t'i kontaktoni ata vetë nga qendra e ndalimit.

Personat që janë nën ndalim në paraburgim kanë të drejtë të përdorin telefonin dhe internetin. Për të mbrojtur privatësinë e personave që mbahen nën ndalim, në qendër nuk lejohen aparatet fotografike apo telefonat me kamera. Nëse ju nevojitet, mund të huazoni një telefon celular pa kamera. Për arsye sigurie, ka edhe objekte të tjera që nuk lejohen gjatë kohës që mbaheni i/e ndaluar në paraburgim. Nëse Agjencia e Migracionit dyshon se ju keni një objekt mbajtja e të cilit nuk lejohet, personeli ka të drejtë të kryejë kontroll trupor mbi ju.

Burra, gra dhe fëmijë qëndrojnë të gjithë në qendrën e ndalimit të Agjencisë së Migracionit. Sidoqoftë, në disa raste ka pjesë të veçanta të qendrës së ndalimit ku nuk lejohen burrat. Nëse është e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë, Agjencia e Migracionit mund të vendosë që t’ju mbajë të izoluar nga personat e tjerë që strehohen në qendrën e ndalimit.

Kohëzgjatja (Periudha e kufizimit)

Vendimi për t’ju mbajtur nën ndalim mund të zbatohet për një kohë të gjatë në varësi të arsyeve për të cilat po mbaheni të ndaluar. Vendimi për t’ju mbajtur të ndaluar në paraburgim mund të rinovohet deri në maksimum prej dymbëdhjetë muajsh sipas vendimit të qendrës së ndalimit. Çdokush që është dënuar me dëbim për shkak të krimit të kryer mund të mbahet i ndaluar në paraburgim për më shumë se dymbëdhjetë muaj.

Apelimi kundër një vendimi për vendosje nën ndalim

Ju mund të apeloni në çdo moment në një gjykatë migracioni kundër një vendimi për vendosje nën ndalim. Apelimi kundër një vendimi të dhënë nga personeli i Agjencisë së Migracionit në qendrën e ndalimit mund të bëhet zakonisht pranë Gjykatës së Migracionit brenda tre javëve nga marrja e vendimit. Personat e mbajtur nën ndalim mund të kenë të drejtë për avokat publik.

Fëmijët

Nëse jeni nën moshën 18 vjeç, Agjencia Suedeze e Migracionit mund t’ju vendosë nën mbikëqyrje nëse keni marrë një vendim refuzimi hyrjeje ose dëbimi. Nëse e neglizhoni mbikëqyrjen kur të vijë koha për t'u larguar nga vendi, Agjencia e Migracionit mund të vendosë që t'ju mbajë të ndaluar në paraburgim.

Agjencia e Migracionit mund të vendosë gjithashtu që t'ju vendosë nën mbikëqyrje nëse keni marrë, ose mund të merrni, një refuzim hyrjeje me efekt të menjëhershëm, dhe bëhet e qartë se nuk dëshironi të bashkëpunoni për t'u larguar nga Suedia menjëherë. Nëse Agjencia e Migracionit përcakton se mbikëqyrja nuk është e mjaftueshme për t’u mundësuar largimin, në vend të kësaj mund të lindë nevoja që t'ju mbajmë të ndaluar në paraburgim.

Fëmijët nuk duhet të ndahen asnjëherë nga të dy kujdestarët e tyre. Një fëmijë mund të vendoset i ndaluar në paraburgim për një maksimum prej 72 orësh. Nëse ka arsye të veçanta për ta bërë këtë, afati mund të zgjatet edhe për 72 orë të tjera, por asnjëherë më shumë se kaq.

Vendosja në vende të tjera që nuk janë qendra të ndalimit të Agjencisë së Migracionit

Gjatë kohës që mbaheni nën ndalim, Agjencia e Migracionit mund të vendosë që në vend që të qëndroni në qendrën e ndalimit të Agjencisë së Migracionit, të vendoseni në një prej qendrave të ndalimit (paraburgimit) të policisë ose në një prej ambienteve të burgimit ose të ndalimit të Shërbimit Suedez të Lirimit me Kusht dhe të Burgjeve. Sa më sipër, është e zbatueshme vetëm për personat që janë 18 vjeç e lart.

Agjencia e Migracionit mund ta marrë këtë vendim në rastet kur

  • ju jeni dënuar me dëbim për shkak të një shkeljeje penale dhe nuk është e përshtatshme të mbaheni në një qendër ndalimi të saj
  • ju mbaheni i izoluar nga personat e tjerë në qendrën e ndalimit dhe jeni përcaktuar si rrezik sigurie në njësinë e ndalimit
  • është e nevojshme për arsye teknike që lidhen me transportin, por pa tejkaluar periudhën tre ditore, ose
  • ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme p.sh zbatimi i një urdhri për udhëtim të pritshëm.

Nëse ka një vendim që ju të mbaheni nën ndalim, Agjencia e Migracionit mund t'ju dërgojë gjithashtu në polici ose në Shërbimin Suedez të Lirimit me Kusht dhe Burgjeve për një periudhë të shkurtër kohore ndërkohë që përgatitet transporti drejt njërës prej qendrave të ndalimit të Agjencisë së Migracionit.

Apelimi kundër një vendimi në lidhje me vendosjen në një strukturë tjetër

Nëse iu kanë dërguar në një qendër paraburgimi, burg apo institucion ndalimi të policisë, ju mund ta apeloni vendimin pranë Gjykatës së Migracionit. Ju mund ta apeloni vendimin pranë Gjykatës Suedeze të Migracionit brenda tre javëve nga data e marrjes së vendimit.

Last updated: 11 shtator 2019

Was the information on this page helpful to you?

Thank you for helping us improve our website!

Thank you for helping us improve our website!

Tell us how we can make this page better*






If you wish to ask the Migration Agency a question you can find our contact details under the heading Contact us.