Kthimi vullnetar

Återvända självmant – albanska

Kthimi vullnetar nënkupton se ju jeni gati të bashkëpunoni për t'u kthyer në atdhe. Në kushtet kur iu refuzohet kërkesa që keni bërë për azil, duhet të planifikoni largimin tuaj nga Suedia.

Me marrjen e vendimit për mospranim të kërkesës për azil ose për dëbim, do të thirreni në takim për të kryer një intervistë me një funksionar që mbulon çështjen dhe që i përket Agjencisë së Migracionit. Më pas do t’ju jepet informacion lidhur me mundësitë e vëna në dispozicion në rastin tuaj dhe në të njëjtën kohë ju mund të shtroni pyetjet tuaja për përgjigje.

Në rastin kur nuk jeni në gjendje ta organizoni personalisht udhëtimin tuaj të kthimit ju se bashku me punonjësin e Migracionit që mbulon rastin tuaj do të hartoni një plan për mënyrën e kthimit në atdhe. Në të njëjtën kohë, ju mund të keni të drejtën e mbështetjes (ndihmës) financiare në formën e të hollave apo të një forme tjetër të mbështetjes me qëllim që lehtësohet faza e stabilizimit në periudhën që pason kthimin tuaj në vendin e origjinës.

Informacione të mëtejshme për personat që mund ta përfitojnë ndihmën (mbështetjen e kthimit në vendin e origjinës) mund t’i gjeni këtu

Bëni gati pasaportën tuaj apo dokumentin e përkohshëm të udhëtimit

Ju jeni përgjegjës për çështjet që lidhen me përgatitjen e pasaportës apo dokumentit të përkohshëm të udhëtimit si dhe elementëve të tjerë që janë të domosdoshëm për t’ju mundësuar kthimin në vendin tuaj të origjinës apo në ndonjë vend tjetër ku keni të drejtë të jetoni.

Nëse lind nevoja për ndihmë me dokumentet e udhëtimit, Agjencia Suedeze e Migracionit mund të kontaktojë autoritetet e vendit tuaj të origjinës për të kërkuar një dokument udhëtimi të përkohshëm në emrin tuaj. Më pas Agjencia e Migracionit do të dorëzojë të dhënat tuaja personale tek autoritetet e vendit tuaj, por nuk do t’i verë në dijeni për faktin se ju keni bërë kërkesë për azil në Suedi.

Nëse është e pamundur të pajiseni me një dokument të përkohshëm udhëtimi, Agjencia e Migracionit mund të lëshojë në raste të jashtëzakonshme një pasaportë të përkohshme për të huaj nga Agjencia e Migracionit. Pasaporta e përkohshme për të huajt lëshohet për ju thjesht që t’ju mundësojë kthimin në vendin tuaj të origjinës.

Bileta e udhëtimit

Është e nevojshme të bëni rezervimin e udhëtimit në drejtim të vendit të deklaruar në vendimin e refuzimit apo të dëbimit.

Në radhë të parë, pritet që të jeni ju personi përgjegjës për kryerjen e pagesës në lidhje me udhëtimin tuaj të kthimit në atdhe. Nëse nuk dispononi të holla ose pasuri të tjera, Agjencia e Migracionit mund të ofrojë ndihmën e vet me rezervimin dhe pagesën e biletës. Nëse e paguani vetë udhëtimin, kini parasysh se duhet të keni dokumente të vlefshme udhëtimi kur kryeni rezervimin e udhëtimit tuaj.

Nëse blini një biletë udhëtimi me ndalesë tranziti në një vend ku nuk keni leje për të qëndruar, rrezikoni të merrni gjobë ose autoritetet e vendit përkatës mund t’ju kërkojnë që të ktheheni mbrapsht në Suedi. Për pasojë, rezervoni një udhëtim pa ndalesë tranziti në një vend tjetër të zonës Shengen. Agjencia Suedeze e Migracionit nuk mban asnjë përgjegjësi për udhëtimet e rezervuara personalisht nga ana juaj. Nëse zgjidhni të bëni rezervimin e një udhëtimi me ndalesë tranziti në një vend tjetër Shengen, sigurohuni më parë që keni të drejtë të qëndroni në atë vend, duke marrë vizën për vendin përkatës.

Strehimi, karta bankare dhe karta LMA e azilkërkuesit

Përpara largimit nga Suedia, duhet të dorëzoni kartën tuaj të azilkërkuesit LMA në Agjencinë e Migracionit. Nëse iu është dhënë një kartë bankare nga Agjencia Suedeze e Migracionit, ju duhet të tërhiqni paratë nga llogaria bankare dhe të ktheni kartën. Nëse jeni strehuar në një nga banesat e ofruara nga Agjencia e Migracionit, duhet të lini banesën dhe të dorëzoni çelësat.

Kujdesi shëndetësor dhe shkolla

Deri në ditën e largimit tuaj nga vendi, ju do të keni të njëjtën të drejtë për shërbim mjekësor si më parë, por nuk do të përfitoni asnjë kompensim financiar për kujdes mjekësor dhe ilaçe kur vendimi i dhënë për ju të ketë marrë formë ligjore duke hyrë në fuqi dhe kur e drejta juaj për mbështetje financiare të ketë pushuar. Fëmijët kanë të drejtë të shkojnë në shkollë për sa kohë që janë në Suedi.

Lexoni më shumë për fëmijët në procesin e azilit

Largimi

Mbetet gjithmonë nën përgjegjësinë tuaj informimi i Agjencisë së Migracionit lidhur me largimin tuaj nga Suedia. Nëse Agjencia Suedeze Migracionit nuk është informuar për largimin tuaj nga Suedia, ne mund të marrim një vendim që iu ndalon ri-hyrjen në vend. Kjo nënkupton ndalimin e hyrjes tuaj në zonën Shengen. Gjithashtu edhe policia kufitare mund të informohet për rastin tuaj..

Në mënyrë që Agjencia Suedeze e Migracionit të informohet për largimin tuaj nga Suedia, ju duhet të dorëzoni një certifikatë të largimit nga vendi tek kontrolli i pasaportës gjatë ikjes. Certifikata e largimit nga vendi mund t’ju dërgohet me postë ose ju mund ta kërkoni marrjen e saj tek një nga qendrat më të afërta të pritjes. Ju mund të tregoni gjithashtu se e keni lënë vendin duke dërguar një kopje të pasaportës me faqen e parë të saj ku jepen të dhënat personale si dhe faqes ku është lëshuar vula dalëse (e shënuar me numrin e identifikimit) tek Agjencia e Migracionit. Vetëm paraqitja e biletës së avionit apo e kartës së hyrjes në avion nuk mund të përdoren për të konfirmuar largimin tuaj.

Kini parasysh që të mos blini një biletë udhëtimi me ndalesë tranziti në një vend tjetër Shengen dhe se certifikata e largimit nga vendi mund të paraqitet vetëm në aeroportet suedeze. Për shembull, nëse do të merrni avionin nga Kastrup, largimi juaj do të konfirmohet me dërgimin e kopjes të pasaportës me vulën dalëse.

Gjeni informacionin e kontaktit lidhur me Agjencinë e Migracionit (në anglisht)

Kthimi në një vend tjetër që nuk është vendi juaj i origjinës

Vend tjetër brenda Bashkimit Evropian

Agjencia Suedeze e Migracionit mund të marrë vendim për kthimin tuaj në një vend tjetër të BE në mënyrë që shqyrtimi i kërkesës tuaj për azil të bëhet atje. Kjo mund të vijë, për shembull, nga fakti se keni qenë në një shtet tjetër anëtar të BE përpara se të hynit në Suedi apo nga fakti që keni marrë vizë apo keni kërkuar azil në një vend tjetër të BE. Këto rregulla janë pjesë e Rregullores së Dublinit.

Nëse në vend të kësaj preferoni të ktheheni në vendin tuaj të origjinës, mund të jetë një ide e mirë nëse kjo nuk nënkupton zgjatjen e kohës së kthimit tuaj apo rritjen e kostove të tij.

Informacione të mëtejshme për Rregulloren e Dublinit mund t’i gjeni këtu (në anglisht)

Vend tjetër nga ai i deklaruar në vendim

Ju keni të drejtë të ktheheni në një vend tjetër nga ai i deklaruar në vendim, nëse jeni në gjendje të demonstroni se atje ju pranojnë. Për pasojë duhet të keni një pasaportë të vlefshme dhe një leje qëndrimi për të jetuar në vendin në fjalë. Për shembull, nuk do të merret në konsideratë si i mjaftueshëm fakti se mund të keni një vizë turistike ose nëse jeni të përjashtuar nga detyrimi i vizës. Kjo nuk nënkupton gjithashtu zgjatjen e kohës së kthimit tuaj apo rritjen e kostove të tij (kthimit).

Last updated: 8 tetor 2019

Was the information on this page helpful to you?

Thank you for helping us improve our website!

Thank you for helping us improve our website!

Tell us how we can make this page better*






If you wish to ask the Migration Agency a question you can find our contact details under the heading Contact us.