Kthimi vullnetar kur ju është refuzuar kërkesa për azil

Återvända självmant när du har fått avslag på din ansökan om asyl – albanska

Kthimi vullnetar nënkupton se e pranoni vendimin se nuk ju lejohet të qëndroni në Suedi dhe se bashkëpunoni duke u kthyer në vendin tuaj të origjinës.

Kur ju merrni një vendim në lidhje me refuzimin e hyrjes apo dëbimin, ju do të thirreni në një takim me një punonjës çështjeje për të diskutuar kthimin tuaj. Gjatë takimit, do t'ju jepet informacion rreth alternativave të ndryshme që disponohen në rastin tuaj dhe ju mund të drejtoni pyetje që mund të keni.

Nëse nuk mund ta përgatisni vetë udhëtimin, ju dhe punonjësi i çështjes do të hartoni një plan ku detajohet se çfarë do të bëni ju dhe se çfarë mund të bëjë Agjencia e Migracionit. Për shembull, mund të kontaktoni ambasadën tuaj për të nxjerrë pasaportë, ndërsa Agjencia e Migracionit mund të bëjë përgatitjet për vizat e transitit nëse do t'ju duhet të bëni ndalesa dhe të ndryshoni avionë gjatë udhëtimit tuaj të kthimit.

Kthimi brenda dy ose katër javëve

Nëse keni marrë një urdhër dëbimi, ju duhet të largoheni nga vendi brenda katër javëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit. Nëse keni marrë një vendim për refuzimin e hyrjes, ju duhet të largoheni nga vendi brenda dy javëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit, përveçse kur në vendim thuhet ndryshe.

Vendimi hyn në fuqi tre javë pas marrjes së tij prej jush, nëse nuk e apeloni vendimin deri atëherë.

Nëse nuk largoheni nga Suedia brenda periudhës së kohës të specifikuar në vendim, kundër jush do të lëshohet normalisht një ndalim ri-hyrjeje që mbulon të gjitha vendet Schengen, si edhe Rumaninë, Bullgarinë dhe Qipron. Ndalimi i ri hyrjes është i vlefshëm për një vit.

Lexoni më shumë rreth ndalimit të ri hyrjes dhe se si mund ta shmangni atë

Refuzimi i hyrjes me efekt të menjëhershëm

Nëse keni marrë një vendim për refuzim hyrjeje me efekt të menjëhershëm, ju duhet të largoheni nga Suedia sapo ta merrni vendimin. Ju mund ta apeloni vendimin brenda tre javëve nga marrja e urdhrit, por nuk mund të qëndroni në Suedi duke pritur që gjykata ta shqyrtojë apelimin.

Nëse merrni një vendim për refuzim hyrjeje me efekt të menjëhershëm, kundër jush normalisht vendoset edhe një ndalim ri-hyrjeje edhe nëse largoheni menjëherë nga Suedia. Kjo do të thotë se nëse keni marrë një urdhër për refuzim hyrjeje me efekt të menjëhershëm ju nuk mund të hyni në asnjë vend tjetër në zonën Schengen, si edhe në Rumani, Bullgari dhe Kroaci, për të paktën dy vjet.

Kthimi në një vend ndryshe nga vendi juaj i origjinës

Çdo vend tjetër brenda Bashkimit Evropian

Agjencia e Migracionit mund të vendosë që duhet të ktheheni në një shtet tjetër anëtar të BE-së dhe se kërkesa juaj për azil do të shqyrtohet atje. Kjo mund të jetë për shembull për shkak se keni qenë në një shtet tjetër anëtar të BE-së përpara se të mbërrinit në Suedi, ose se ju është dhënë vizë ose keni bërë kërkesë për azil në një shtet tjetër anëtar të BE-së. Këto rregulla mund të gjenden në Rregulloren e Dublinit.

Nëse në vend të kësaj dëshironi të ktheheni në vendin tuaj të origjinës, kjo mund të miratohet nëse nuk do të sjellë vonesë në kthimin tuaj ose nëse nuk kushton shumë më tepër.

Lexoni më shumë rreth Rregullores së Dublinit dhe pse nuk mund të zgjidhni vendin ku do të shqyrtohet kërkesa juaj për azil (në anglisht)

Një vend tjetër nga ai i specifikuar në vendim

Ju duhet të ktheheni në vendin e deklaruar në vendim pas refuzimit të hyrjes ose dëbimit. Ky vend zakonisht është vendi të cilit ju i përkisni si qytetar.

Megjithatë, ju mund të ktheheni edhe në një vend tjetër nga ai i specifikuar në vendim nëse mund të demonstroni se do të pranoheni atje. Në këtë rast, do t'ju nevojitet një pasaportë e vlefshme dhe një leje qëndrimi për atë vend. Nuk mjafton të keni vizë turistike apo përjashtim nga detyrimi i vizës. Kjo nuk do të lejohet nëse nënkupton se kthimi do të vonohet ose do të kushtojë shumë më tepër.

Ju jeni përgjegjës për të nxjerrë dokumentet e udhëtimit

Është përgjegjësia juaj që të nxirrni pasaportë ose dokumente të përkohshme udhëtimi për t'u kthyer brenda afatit të vlefshëm kohor.

Nëse keni nevojë për ndihmë, Agjencia e Migracionit mund të kontaktojë me autoritetet në vendin tuaj të origjinës dhe të bëjë kërkesë për pasaportë në emrin tuaj. Në këtë rast, Agjencia e Migracionit duhet t'ia japë të dhënat tuaja autoriteteve në vendin tuaj të origjinës, por nuk do të zbulojmë se keni bërë kërkesë për azil në Suedi.

Nëse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të nxjerrë pasaportë, në raste të jashtëzakonshme, ju mund të merrni një pasaportë të përkohshme për të huajt nga Agjencia e Migracionit. Në këtë rast, pasaporta e përkohshme për të huajt është e vlefshme vetëm për udhëtimin e kthimit në vendin tuaj të origjinës.

Bileta e udhëtimit

Ju jeni përgjegjësi kryesor për të paguar udhëtimin e kthimit. Nëse nuk jeni në gjendje ta përballoni këtë, Agjencia e Migracionit mund të rezervojë dhe paguajë biletën.

Ju mund ta tërhiqni kërkesën tuaj

Ju mund ta tërhiqni kërkesën tuaj për azil dhe mund të ktheheni në shtëpi vullnetarisht edhe përpara se kërkesa juaj për azil të shqyrtohet. Juve mund t'ju jepet ndihmë për të përgatitur udhëtimin e kthimit nëse kontaktoni me punonjësin e çështjes në njësinë e pritjes ku jeni regjistruar.

Ndihma për kthimin

Flisni me punonjësin e njësisë së pritjes rreth llojit të ndihmës që ju nevojitet për kthimin. Për shembull, ju mund të merrni ndihmë për të kontaktuar organizatat në Suedi që mund t'ju japin informacion rreth situatës në vendin tuaj të origjinës ose t'ju japin këshilla dhe ndihmë për udhëtimin e kthimit ose t'ju ndihmojnë për të kontaktuar me organizatat në vendin tuaj të origjinës për të përfituar ndihmë kur të ktheheni.

Nëse ktheheni vullnetarisht, në disa raste, mund të bëni kërkesë për ndihmë për ristabilizimin.

Lexoni më shumë për të mësuar se kush mund të bëjë kërkesë për të marrë ndihmë për ristabilizimin dhe se çfarë përfshin kjo ndihmë

Last updated: 2017-02-21

Was the information on this page helpful to you?

Thank you for helping us improve our website!

Thank you for helping us improve our website!

Tell us how we can make this page better*






If you wish to ask the Migration Agency a question you can find our contact details under the heading Contact us.