Nëse do të apelosh

Om du vill överklaga – albanska

Nëse prej Entit për Migracion ke marrë vendim të cilin nuk e pranon ti ke mundësi të apelosh (ankohesh). Këtu gjen më shumë informata mbi atë se si duhet të apelosh.

Nëse nuk pranon vendimin e Entit për Migracion ti ke të drejtë të apelosh. Të apelosh d.m.th. se ti dëshiron që vendimi i Entit për Migracion të ndryshohet. Ankesën e shqyrton një gjykatë, mirëpo ankesa duhet t’i dërgohet Entit për Migracion. Në vendim thuhet sa kohë ke të ankohesh, në të shpeshtën e herave tre javë, duke filluar prej ditës që je njohtuar me vendimin. Nëse ke përfaqësues publik (advokat) atëherë ai ose ajo mund të të ndihmojë të apelosh.

Nëse ke bërë kërkesë për lejeqëndrim dhe ajo të është refuzuar mirëpo ende ndodhesh në Suedi ti megjithatë duhet të planifikosh riatdhesimin (kthimin në shtetin tënd), edhe nëse ke vendosur të apelosh. Në vendim thuhet se a ke të drejtë të qëndrosh në Suedi deri sa ti pret vendimin nga gjykata.

Gjykata e Migracionit shqyrton ankesën tënde

Enti për Migracion e kontrollon ankesën tënde që të shohë nëse vendimi duhet ndryshuar. Nëse Enti për Migracion konsideron se nuk ka arsye për të ndryshuar vendimin ata atëherë e dërgojnë ankesën te Gjykata e Migracionit. Gjykata mund të ndryshojë ose të pajtohet me vendimin e Entit për Migracion.

Prej ditës që Gjykata e Migracionit ka pranuar ankesën tënde ti do t’i drejtohesh gjykatës me pyetje që kanë të bëjnë me ankesën dhe punën e gjykatës. Është përgjegjësi e jote që të kontrollosh vendimet e Gjykatës për Migracion sepse Enti për Migracion nuk do ta bëjë këtë për ty.

Nëse ke përfaqësues publik (advokat) Enti për Migracion nuk do të paguajë udhëtimet deri te ai/ajo kur ankesa jote i është dorëzuar gjykatës.

Nëse ndërron mendjen dhe do të tërheqësh ankesën atëherë ti lajmëron Entin për Migracion se ti e pranon vendimin e tyre. Në rast të tillë ankesa jote nuk do të shqyrtohet dhe ti nuk ke të drejtë të ankohesh në këtë vendim përsëri.

Ja si duhet ta shkruash ankesën

Në vendim thuhet se si duhet t’ia bësh për të apeluar. Nëse do të apelosh vendimin e Entit për Migracion atëherë ti shkruan një letër në të cilën tregon cilin vendim dhe pse dëshiron që Enti për Migracion ta ndryshojë. Dërgo dokumente dhe dëshmi tjera që e mbështesin atë që thua në ankesë, sipas mundësisë në origjinal.

Në ankesë i shkruan të dhënat tua personale dhe numrin e çështjes tënde. Numrin e çështjes e gjen në vendimin që ke marrë. Nëse je azilkërkues numri i çështjes gjendet edhe në LMA kartelën tënde. Shkruaj edhe numrin e telefonit dhe adresën në të cilën Enti për Migracion ose gjykata mund të të gjejë.

Është me rëndësi që ankesa t’i arrijë Entit për Migracion me kohë. Në tabelën që gjendet në këtë faqe mund të shohësh sa kohë ke për të apeluar, varësisht se për çfarë lloji të vendimit bëhet fjalë. Koha fillon të llogaritet prej ditës që të kanë njohtuar me vendimin.

Nëse nuk di të apelosh vetë ti mund të kërkosh prej dikujt tjetër që ta bëjë këtë për ty. Atëherë ti duhet t’i japësh autorizimin atij personi që të ndihmon me Entin për Migracion.

Çka është autorizim?

Autorizim mund të jetë një letër e firmosur me të cilën ai që ka bërë kërkesën për lejeqëndrim i jep mundësinë një personi tjetër ta përfaqësojë atë. Me autorizim për shembull mund t’i ipet dikujt e drejta të bëjë kërkesë, të informohet mbi arsyet e vendimit ose të apelojë ndonjë vendim për dike tjetër. Autorizimi duhet të përpilohet nga ai që i jep autorizimin dikujt tjetër dhe duhet të tregohet në origjinal nëse Enti për Migracion kërkon këtë.

Për t’i dhënë autorizim një personi tjetër ti duhet t’i dorëzosh Entit për Migracion një letër në të cilën shkruan

  • se dokumenti është autorizim
  • emri dhe mbiemri, data e lindjes dhe adresa e personit që i jep autorizimin dikujt tjetër
  • se çka ka të drejtë të bëjë personi të cilit i ipet autorizimi
  • emri dhe mbiemri, numri personal dhe adresa e personit që i ipet autorizimi
  • nënshkrimi i personit që i jep autorizimin dikujt tjetër data dhe vendi
  • në të cilin autorizimi firmoset.

Power of Attorney, form number 107011 (në anglisht)PDF 

Nëse do të apelosh vendimin e Gjykatës së Migracionit

Nëse nuk je i kënaqur me vendimin e Gjykatës së Migracionit ti mund të apelosh te Gjykata e Lartë e Migracionit, brenda tre javësh, duke filluar prej ditës që ke marrë vendimin. Gjykata e Lartë e Migracionit është instanca e fundit dhe vendimet që kjo gjykatë merr do të jenë udhëzuese për Entin për Migracion dhe Gjykatën e Migracionit që të marrin vendime në çështje të ngjashme.

Gjykata e Lartë e Migracionit do të shqyrtojë ato çështje në të cilat mungojnë direktiva juridike ose ato çështje të cilat janë shqyrtuar gabimisht nga Gjykata për Migracion. Në rastet më të shpeshta Gjykata e Lartë e Migracionit nuk merr fare në shqyrtim apelimet prandaj dhe vendimi i Gjykatës së Migracionit mbetet në fuqi.

Nuk mund të apelohet në të gjitha vendimet

Disa vendime nuk mund të apelohen. Në vendimin që ke marrë shkruan nëse ti ke drejtë të bësh ankesë ose jo. Pos tjerash ti nuk mund të apelosh:

  • një vendim të cilin ti njëherë e ke pranuar dhe firmosur në një deklarate pëlqimi
  • vendimet e Gjykatës së Lartë të Migracionit për të mos shqyrtuar çështjen tënde
  • se ti ke fituar lejeqëndrim me kohëzgjatje të kufizuar.

Kohë të ndryshme për apelime të ndryshme

Entit për Migracion duhet t’i arrijë ankesa para se të skadojë afati i paraparë kohor. Nëse do të apelosh vendimin e gjykatës atëherë atë ankesë duhet t’ia dërgosh gjykatës, që ata ta pranojnë atë para se të skadojë afati i paraparë kohor. Në vendim ceket sa kohë ke për të apeluar.

Kur afati kohor të ketë skaduar atëherë vendimi do të hyjë në fuqi. Kjo do me thënë se vendimi më nuk mund të apelohet.

Afati kohor për të apeluar

Ti ke marë

Ti mund të apelosh

vendim mbi dëbim

brenda tre javësh prej ditës që je njohtuar me vendimin

vendim mbi refuzim të kërkesës që do të zbatohet
menjëherë

brenda tre javësh prej ditës që je njohtuar me vendimin

vendim nga Gjykata për Migracion

brenda tre javësh prej ditës që je njohtuar me vendimin

vendim mbi çështje statusi

brenda tre javësh prej ditës që je njohtuar me vendimin

vendim mbi dokument udhëtimi

brenda tre javësh prej ditës që je njohtuar me vendimin

vendim mbi pasaportë për të huaj

brenda tre javësh prej ditës që je njohtuar me vendimin

ndalesë hyrje në shtetet Schengen pasi që ti nuk je
larguar nga Suedia me kohë

brenda tre javësh prej ditës që Enti për Migracion ka marrë vendimin

ndalesë hyrje në shtetet Schengen për ndonjë  arsye tjetër

brenda tre javësh prej ditës që je njohtuar me vendimin

vendim mbi ndihma (në para) të posaçme

brenda tre javësh prej ditës që je njohtuar me vendimin

vendim mbi reduktim ose ndërprerje të të ardhurave
ditore

brenda pesë javësh prej ditës që Entipër Migracion ka marrë vendimin

vendim mbi status alternativ mbrojtës (në raste se ti konsideron se duhet të kesh status refugjati)

brenda tre javësh prej ditës që je njohtuar me vendimin

vendim mbi mbikëqyrje ose të mbahesh nën kontroll

kurdoqoftë

 

Last updated: 11 shtator 2019

Was the information on this page helpful to you?

Thank you for helping us improve our website!

Thank you for helping us improve our website!

Tell us how we can make this page better*






If you wish to ask the Migration Agency a question you can find our contact details under the heading Contact us.