Refuzimi i hyrjes me efekt të menjëhershëm

Avvisning som ska genomföras omedelbart – albanska

Agjencia Suedeze e Migracionit lëshon një urdhër për refuzim hyrjeje me efekt të menjëhershëm nëse është e qartë se ju nuk keni as nevojë për mbrojtje dhe as arsye të tjera për leje qëndrimi. Nëse keni marrë një urdhër të tillë, ju duhet të largoheni menjëherë nga Suedia.

Një vendim për refuzim hyrjeje qëndron në fuqi për katër vjet. Nëse keni marrë një urdhër për refuzim hyrjeje me efekt të menjëhershëm, ju i nënshtroheni një ndalimi rihyrjeje, që do të thotë se nuk mund të hyni në asnjë vend tjetër në zonën Schengen, si edhe në Rumani, Bullgari dhe Kroaci, për të paktën dy vjet.

Pranimi i urdhrit

Ju mund të demonstroni se e pranoni urdhrin duke nënshkruar një dokument i cili quhet deklarata e pranimit. Pasi të keni nënshkruar deklaratën, ju nuk mund të apeloni më dhe duhet të largoheni menjëherë nga Suedia. Edhe nëse nuk e pranoni urdhrin, ju duhet të largoheni nga Suedia menjëherë pasi e merrni urdhrin.

Apelimi i urdhrit

Nëse nuk e pranoni urdhrin, keni të drejtën të apeloni, por sërish duhet të largoheni menjëherë nga Suedia. Apelimi juaj duhet të merret nga Agjencia e Migracionit maksimumi brenda tre javëve nga marrja e njoftimit të urdhrit.

Lexoni më shumë rreth apelimit kundër urdhrit

Planifikimi i udhëtimit të kthimit

Juve ju kërkohet të largoheni menjëherë nga Suedia pas marrjes së urdhrit. Ju jeni përgjegjës për të planifikuar udhëtimin e kthimit, për të nxjerrë një pasaportë të vlefshme, si dhe për kërkesat e tjera për kthimin në vendin tuaj të origjinës ose në një vend tjetër ku keni leje qëndrimi. Agjencia e Migracionit mund t'ju ndihmojë me kontaktet në vendin tuaj të origjinës ose duke rezervuar udhëtimin.

Lexoni më shumë rreth kthimit vullnetar

Akomodimi, karta e bankës dhe karta e azilkërkuesit

Tre javë pas marrjes së urdhrit, ju nuk mund të bëni më apelim. Kjo do të thotë se nuk keni më të drejtën për akomodim apo ndihmë financiare nga Agjencia e Migracionit. Kjo do të aplikohet për ju nëse jeni një i rritur që nuk jeton me fëmijë nën moshën 18 vjeçare për të cilët jeni personi kujdestar.

Përpara largimit nga Suedia, ju duhet të ktheni kartën tuaj të azilkërkuesit (kartën LMA) tek Agjencia e Migracionit. Nëse keni marrë një kartë banke nga Agjencia e Migracionit, ju duhet të tërhiqni paratë nga llogaria dhe të ktheni kartën. Nëse keni jetuar në një prej akomodimeve të Agjencisë së Migracionit, ju duhet të largoheni nga akomodimi dhe të ktheni çelësat.

Kujdesi shëndetësor dhe shkolla

Deri ditën kur të largoheni nga Suedia, ju do të keni të njëjtat të drejta për shërbime shëndetësore si më parë, por nuk do të merrni kompensime financiare për barnat ose kujdesin shëndetësor pasi të hyjë në fuqi urdhri i largimit dhe të skadojë e drejta juaj për ndihmë financiare. 

Fëmijët kanë të drejtën të shkojnë në shkollë për sa kohë që ata janë ende në Suedi.

Lexoni më shumë rreth fëmijëve dhe azilit

Nëse nuk i bindeni vendimit

Nëse nuk bashkëpunoni duke u larguar nga Suedia, Agjencia e Migracionit mund të vendosë që t'ju mbajë nën mbikëqyrje ose nën ndalim. Mbikëqyrje do të thotë se duhet të nënshkruani rregullisht pranë Agjencisë së Migracionit ose policisë. Nëse mbaheni nën ndalim, duhet të qëndroni në një qendër të mbyllur gjatë pritjes për t'u larguar.

Nëse keni ende të drejtë të merrni ndihmë financiare nga Agjencia e Migracionit (p.sh. familjet me fëmijë), ju mund të merrni një kuotë të reduktuar ditore nëse nuk bashkëpunoni për t'u larguar nga vendi.

Nëse Agjencia e Migracionit përcakton se do të jetë e nevojshme forca për të zbatuar urdhrin, përgjegjësia i kalon policisë suedeze.

Lexoni më shumë se çfarë ndodh nëse nuk i bindeni urdhrit

Ngjarjet e reja pas refuzimit

Nëse ndodh diçka që e bën të pamundur që ju të ktheheni, ju duhet të njoftoni Njësinë e Pritjes. Agjencia e Migracionit do të marrë në konsideratë praninë e pengesave për dëbimin. Pengesa të tilla duhet të jenë në lidhje me informacione të reja që vijnë pasi keni marrë vendimin.

Lexoni më shumë rreth ngjarjeve të reja pas refuzimit

Marrëveshja Schengen përfshin vendet e mëposhtme

Austri, Belgjikë, Republika Çeke, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Litenshtejn, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Norvegji, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi dhe Zvicër.

Last updated: 6 tetor 2016

Was the information on this page helpful to you?

Thank you for helping us improve our website!

Thank you for helping us improve our website!

Tell us how we can make this page better*






If you wish to ask the Migration Agency a question you can find our contact details under the heading Contact us.